Vetingu i drejtësisë në Maqedoni!

sefer.jpg

Natyrisht, që nga fakti që Maqedonia kaloi një fazë të rëndë të keqpërdorimit të sistemit gjyqësor, Prokurorisë Publike, policisë, administratës, me një fjalë të aparatit shtetëror në tërësi, vetvetiu shtrohet nevoja e rivendosjes së sistemit juridik. Krejt kjo me qëllim që të zbatohet ligji dhe ai të mos jetë nën voluntarizmin individual të zyrtarëve të shtetit. Rikthimi i shtetit në binarë normalë aspak nuk do të jetë proces i lehtë.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Në një shtet siç është Maqedonia, e cila ka kaluar 11 vite të plota në sistem autokratik, i cili ka qenë hibrid me korrupsionin dhe krimin e organizuar, përkatësisht institucional, kjo si pasojë e qeverisjes VMRO-DPMNE dhe BDI, pritjet nga qeveria e re janë të mëdha, kolosale, madje shpesh i tejkalojnë edhe mundësitë reale që i ka kapaciteti administrativ, ekzekutiv, pse jo edhe financiar-buxhetor i një qeverie për realizimin e projekteve që do të jenë përmbushje e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Në një periudhe transferimi të pushtetit nga një parti në një tjetër, sidomos në kampin maqedonas, pritjet janë të mëdha. Gjithashtu edhe shpresat për një jetë më të mirë. Kjo është periudha kur jo vetëm politikanët, mediat, analistët ose opinionistët e kanë vizionin e tyre mbi qeverisjen e re, por edhe qytetarët kanë projeksionet e tyre mbi dizajnimin e programit qeveritar, mbi prioritetet e saj politike, ekonomike dhe strategjike- ntegruese. Por, të gjitha këto pritje nga qytetarët e shtojnë nivelin e përgjegjësisë së saj, që një mënyrë është edhe presion ndaj saj, ndaj zbatuesve të politikave të saj publike. Megjithatë, kjo e ka edhe një të mirë, sepse presioni nga përgjegjësia mund të ndikojë në rritjen e efikasitetit të saj konkret.

Sundimi i ligjit dhe demontimi i “proceseve shqiptare”

Në fazën e konsolidimit të qeverisjes së re, të drejtuar nga lideri socialdemokrat Zoran Zaev, me të drejtë shtrohen dilemat se cilat do të jenë prioritetet e saj. Natyrisht, që nga fakti që Maqedonia kaloi një fazë të rëndë të keqpërdorimit të sistemit gjyqësor, Prokurorisë Publike, policisë, administratës, me një fjalë të aparatit shtetëror në tërësi, vetvetiu shtrohet nevoja e rivendosjes së sistemit juridik. Krejt kjo me qëllim që të zbatohet ligji dhe ai të mos jetë nën voluntarizmin individual të zyrtarëve të shtetit. Rikthimi i shtetit në binarë normalë aspak nuk do të jetë proces i lehtë, do të jetë një sfidë e llojit të vet, sepse bëhet fjalë për një ndërmarrje të angazhuar politike, e cila nuk do të kalojë pa obstruksione nga opozita, pa rezistencë aktive nga zyrtarët e shtetit, që do ta hetojnë epokën e ndryshimeve radikale që do të përfshijnë edhe rrafshin personal të atyre që e kanë shkelur ose nuk kanë zbatuar ligjin. Është një proces që, sipas paralajmërimeve nga kryeministri i ri, parashikon rizgjedhjen e përgjithshme të gjykatësve, që nënkupton edhe rizgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor Shtetëror, organi i cili bën përzgjedhjen e gjykatësve, kompetencë e cila më parë ka qenë në duart e Kuvendit, ndërsa tani është në duart e këtij organi, ndaj të cilit presioni dhe ndikimi politik i partive në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, ka qenë evident. Rizgjedhja e gjykatësve nënkupton që “gjykatësit Swarovski”, ata të cilët siç u dëgjua në bomba e opozitës maqedonase janë përzgjedhur me ndikimin e shefit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimi, Sasho Mijallkov, të zëvendësohen me gjykatës që parim në punën e tyre do ta kenë përkushtimin ndaj drejtësisë. Këta gjykatës, që janë prodhim i laboratorëve politikë, morën vendim absurd, antikushtetues dhe antiligjor që t’i dënojnë me kusht 9 dhunuesit që i sulmuan deputetët Ziadin Sela, Zoran Zaev dhe të tjerët! Çfarë drejtësie është kjo, e cila gjakun e derdhur në Kuvend e amniston me faktin që kryerësit e veprës qenkan penduar për veprën e tillë?! Me analogji i bie që secili që bën vepër penale të pendohet, të zotohet se nuk do ta përsërisë veprën penale dhe të lihet i lirë! Pa asnjë dënim, populli do thoshte “pa asnjë ferrë në këmbë”. Ky është sistemi juridik që e dënon me burg vjedhësin e qebapëve në Veles, ndërsa e lë të lirë tentuesin për vrasje politike! Prandaj kjo “drejtësi” duhet të marrë fund!

Nisja e qeverisë së re duhet të nënkuptojë edhe nisje në rrugën e drejtësisë, edhe për rastet që supozohet dhe ka dilema se janë të montuara me motive politike, si Sopoti, Monstra, rasti i Harun Aliut dhe një rast i cili pak përmendet dhe i cili gjithashtu është i montuar, bëhet fjalë për rastin e Agim Behlulit nga Kumanova, i cili vuajti dënim prej 6 viteve burg. Jo vetëm ky rast, por të gjitha rastet, për të cilat dyshohet se kanë motive politike ose motive të tjera jashtë sistemit të drejtësisë, duhet të rishqyrtohen dhe rihapen. Vetëm në këtë mënyrë qeveria e re do të tregojë se ka kapacitet për vendosjen e sundimit të ligjit në Maqedoni!

“Specialja” me standarde të dyfishta!

Prokuroria Speciale është pjesë integrale e sistemit të drejtësisë, e spektrit të gjerë të institucioneve të shtetit, ndaj së cilës jo opozita, por pushteti, ka vërejtje se është nën diktat politik. Edhe pse institucion i dalë nga “Marrëveshja e Përzhinës”, ajo kontestohet nga VMRO-DPMNE-ja se është instrument i LSDM-së. Në fund të mandatit të saj dyshimet për diktat politik nuk shtohen vetëm nga pushteti, por edhe nga vëzhgues të vëmendshëm të punës së saj gati 18-mujore. Dyshohet për selektim politik të rasteve në punën e saj, pasi kjo Prokurori ka ngritur procedura hetimore për zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, por jo edhe për të BDI-së, natyrisht duke supozuar se ka dyshime edhe ndaj tyre. Për të mos thënë që Specialja “nuk ia ka trazuar ujin” BDI-së, ka ngritur procedurë për rastin e një drejtori të një shkolle në Zajaz. Përveç simbolikës që ka Zajazi, si fshat ku jeton lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ky rast duket komik në krahasim me rastet, të cilat i hapi Prokuroria Speciale e në të cilat akuzohen zyrtarë të VMRO-DPMNE-së për shuma milionëshe. Por, në drejtësi provat nuk e humbin vlerën asnjëherë, kështu që kjo do të jetë sfidë për partnerin qeverisës të BDI-së, Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës që të insistojë që drejtësia të mos jetë selektive. Kjo sfidë do të jetë e nivelit të njëjtë të përgjegjësisë edhe për Lëvizjen BESA, pavarësisht se nga cili pozicion do të veprojë. Aq më tepër që BESA ishte organizatore e protestave popullore për zbardhjen e rastit Monstra!

Vetingu i Shqipërisë, mision i (pa) mundur!

Këtyre ditëve Shqipëria po kalon fazën e reformave politike, proces ky që përcillet me një tjetër, që njihet me emrin Veting? Çështë ky Vetingu? A është i mundur ky proces në Maqedoni? Vetingu synon nxjerrjen e personave të korruptuar, gjykatës dhe prokurorë jashtë sistemit të drejtësisë përmes një procesi, duke larguar në këtë mënyrë të gjithë ata që e kanë keqpërdorur ligjin. Vetingu parashikon deklarimin transparent të pasurisë së tyre dhe familjarëve dhe pastërtinë e figurës, duke siguruar se sistemi i drejtësisë nuk është i lidhur me krimin e organizuar. Një Veting shqiptar është i domosdoshëm edhe në Maqedoni. Nevojitet që të largohen nga gjykatat dhe prokuroritë personat që janë të korruptuar, pasi Maqedonisë i duhet sistem i drejtësisë që është objektiv dhe në funksion të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Vetingu nevojitet për ta matur pasurinë e gjykatësve dhe prokurorëve, pasi dyshohet se një pjesë e madhe e tyre kanë pasuri që nuk përkon me të ardhurat reale që i kanë. “Nëse keni orën më të shtrenjtë se makina ime, atëherë me gjasë ju jeni të korruptuar”, ishte deklarata e fortë e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Vetingu nënkupton edhe përgjegjësi penale për të gjithë gjykatësit që marrin gjatë gjithë kohës vendime të padrejta gjyqësore! Do të quhet Veting ose do ketë ndonjë emër tjetër të koduar, thelbi i tij mbetet i njëjtë – gjyqësia dhe prokuroria duhet të pastrohet nga partizimi, nepotizmi, joprofesionalizmi, joetika, jokompetenca, joefikasisteti e kështu me radhë. Vetingu duhet të sigurojë gjyqësor sado pak të pavarur, sepse idealisht të pavarur nuk mund të pretendojmë në një shtet me kulturë të ulët politike-demokratike dhe në sundimin e ligjit. Vetingu do të duhej të vlejë edhe për politikanët dhe të gjithë ata që kanë abuzuar kundërligjshëm me detyrat shtetërore, pasuria e të cilëve do të konfiskohej nëse nuk ka mbulesë financiare. Për dallim nga Shqipëria, ku opozita dëshiron t’i shmanget Vetingut, në Maqedonia pushteti dëshiron t’i shmanget drejtësisë. Platoni thoshte “Drejtësia në jetën e sjelljes së shtetit është e mundur vetëm pasi ajo së pari të banojë në zemrat dhe shpirtrat e qytetarëve”.

Komentet
Top