Zbulohen prapaskenat e pagës, ish mbrojtësi i kombëtares italianë pranë kuqezinjve

capello-russia.jpg

Rebusi me trajnerin e ri të Kombëtares po merr zgjidhje. Nga një numër i madh kandidatësh të lakuar për t’u afruar në postin e trajnerit të Shqipërisë, tashmë rrethi është ngushtuar dhe po pritet që bisedimet e kryera të përfundojnë me diskutim të detajeve në kontratë. Një prej tyre, që prin listën e kandidatëve të mundshëm, është Kristian Panuçi. “Panorama Sport” nga burime të besueshme ka mësuar se italiani ka arritur të bindë FSHF-në me kërkesën financiare.

PAGESAT

FSHF-ja nuk është e gatshme që të bëjë sakrifica të mëdha financiare për trajnerin e ri që do të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare. Për këtë, një kërkesë që shkon përshtat me shpenzimet e pranueshme nga institucioni i futbollit ka qenë ajo e Kristian Panuçit. “Panorama Sport” ka mësuar se italiani ka kërkuar një pagë prej rreth 20 mijë euro në muaj.

Ky është një kriter që ka bërë atë të jetë një prej kandidaturave më afër zgjedhjes në krye të pankinës. Jo vetëm kaq, por gazeta ka mësuar se Panuçi është gjithashtu në preferencat e presidentit Duka edhe në lidhje me faktin se Panuçi ka qenë një prej ndihmësve të Fabio Kapelos në krye të Kombëtares Ruse. Kandidati tjetër që është gjithashtu në garë, Valter Zenga, pëlqehet nga drejtuesit e institucionit të futbollit, por ka shprehur kërkesa më të larta ekonomike në krahasim me Panuçin.

KOMPENSIMI

Kërkesa e Panuçit për pagën mujore është pothuajse e njëjtë me pagën e Xhani De Biazit në fillimet e tij te kuqezinjtë. Mirëpo, kjo nuk është e vetmja ngjashmëri mes tyre. Panuçi është gjithashtu edhe komentator dhe analist në mediat italiane, njësoj si ish-tekniku i kuqezinjve dhe kjo do t’i japë atij mundësinë që të kompensojë pagesën jo të lartë që do të marrë në Shqipëri

Komentet
Top