Zgjedhjet në Britani të Madhe: Konservatorët humbasin shumicën në parlament

rsgsgh.jpg

Partia Konservatore në Britani të Madhe, nga e cila parti është edhe kryeministrja aktuale, Theresa May, ka humbur shumicën në Parlamentin e Britanisë pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura të enjten.

Kur kanë mbetur vetëm edhe disa ulëse të përcaktohen nga votat që ende po numërohen, zgjedhjet treguan një rritje të konsiderueshme të Partisë Laburiste që ka fituar 29 ulëse më shumë në parlament, krahasuar me zgjedhjet e fundit, kundrejt 13 të humburave të Konservatorëve – që megjithatë kanë ruajtur vendin e parë dhe kanë dalur partia më e votuar.

Ky rezultat është cilësuar turpërim për kryeministren May, e cila vet thirri për zgjedhje të parakohshme për ta forcuar pozitën e saj dhe për të marrë legjitimitet të sërishëm para bisedimeve për dalje nga Bashkimi Europian.

Lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, ka kërkuar nga May të japë dorëheqje, por ajo ka deklaruar se megjithatë partia e saj do të sigurojë stabilitet në Britaninë e Madhe.

Derisa kanë mbetur edhe pak vota për t’u numëruar, Konservatorët prinë me 318 vende të fituara në Parlament, Laburistët me 261, ndërsa partitë tjera si Partia Nacionaliste e Skocisë (që ka qenë kundër BREXIT), ka 35 ulëse e Liberalë Demokratët 12, kurse Partia e Unioneve Demokratike ka 10.

Parlamenti i Britanisë së Madhe ka 650 vende dhe për të formuar shumicën parlamentare, partive u duhet një minimum prej 326 deputetësh.

Komentet
Top