Zv/presidenti amerikan thotë se Ballkani e ka vendin në Perëndim dhe kritikon rolin e Rusisë

thumbs_b_c_73630438811e35b251d9e36e813b08de.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kushtojnë një rëndësi shumë të madhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke besuar se kjo pjesë e Evropës i takon Perëndimit, ka deklaruar zëvendëspresidenti, Mike Pence. Këto komente, zëvendëspresidenti amerikan i bëri në Podgoricë, ku po qëndron në një vizitë zyrtare e cila është cilësuar si historike për Malin e Zi dhe Ballkanin.

Përveç takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Malit të Zi, Pence ka mbledhur në një takim edhe liderët e vendeve të Ballkanit, në kuadër të Kartës së Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tema e këtij samiti ka qenë siguria në rajon.

“Kryetari i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump personalisht është treguar i përkushtuar për rajonin dhe ishte nder për mua ta vizitoj Malin e Zi”, tha Pence. Ai lavdëroi Malin e Zi për qëndrimin pro-perëndimor dhe për anëtarësimin në NATO.

“Ne vërtetë besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim. Dhe se ne presim që të riafirmojmë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar raporte që do të forcojnë lidhjet ndërmjet komunitetit evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Pence.

Duke i rikujtuar vendet e Ballkanit që të orientohen drejt Perëndimit, zëvendëspresidenti amerikan ka thënë se Rusia është ajo që po përpiqet t’i ndryshojë kufijtë e vendeve me anë të forcës. Po ashtu, edhe në Ballkan, ai tha se Rusia ka një ndikim negativ.

“Edhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, Rusia po punon që të destabilizojë rajonin”, tha Pence, duke shtuar se këto ambicie kanë si qëllim edhe ndarjen e Ballkanit nga pjesa tjetër e Evropës.

Ai ka rikujtuar ndërhyrjen e shërbimeve Ruse në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, duke u përpjekur të pengojnë rrugën e Malit të Zi drejt NATO-s. Pence tha se Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump do t’i vazhdojnë sanksionet kundër Rusisë.

Në Podgoricë, Pence ka lavdëruar liderët e Malit të Zi për qëndrim ndaj “presionit rus”.

Në këtë samit, me ftesë të kryeministrit të Malit të Zi po marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ai i Sllovenisë, Miroslav Cerar, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq si dhe përfaqësuesi këshillit ministror të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

Në takimin e Podgoricës, përveç vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut marrin pjesë edhe shtetet me statusin e vëzhguesit, si Serbia dhe Kosova.

Pence tha se do të dëshironte që së shpejti edhe Kosovën ta sheh pjesë të Kartës së Atlantikut.

Në Podgoricë, Pence lavdëroi liderët e Malit të Zi për qëndrim ndaj “presionit rus”.

Ndërkohë, nikoqiri i këtij takimi, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq tha se vizita e zëvendëspresidentit Mike Pence në Podgoricë paraqet një prej vizitave të nivelit më të lartë dhe më të rëndësishme që i është bërë ndonjëherë, Malit të Zi.

Ai së bashku me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev e kanë siguruar numrin dy të Shteteve të Bashkuara se vendet e Ballkanit janë të përcaktuara në rrugën e tyre drejt Perëndimit dhe bashkëpunimit me NATO-n.

Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë anëtare të Kartës së Adriatikut, përderisa Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vëzhguesit. Pas samitit, është paralajmëruar që zëvendëspresidenti Pence do t’i takojë edhe liderët e vendeve të rajonit.

Karta Amerikane e Adriatikut është themeluar në vitin 2003, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim të koordinimit të aktiviteteve dhe angazhimeve të vendeve të rajonit në aspiratat e tyre për t’iu bashkuar NATO-s.

Zyrtari i lartë amerikan arriti në Mal të Zi, që është anëtari më i ri i NATO-s, pas vizitës në Gjeorgji, ku ai e kritikoi “okupimin” e Rusisë të territorit gjeorgjian, prej luftës së shkurtër në vitin 2008.

Komentet
Top