Zyrtare: Pas Shkupit, Tirana kandidate për zhvillimin e Superkupës së Evropës 2019

stadiumi-qemal-stafa.jpg

UEFA zyrtarizon Shqipërinë si një nga shtatë kandidaturat finale për zhvillimin e Superkupës së Evropës në vitin 2019.

Federata Shqiptare e Futbollit vetëm pak ditë më parë plotësoi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm të stadiumit në ndërtim “Arena Kombëtare”, të cilin ia dërgoi qeverisë së Futbollit europian, dhe tashmë merr zyrtarisht konfirmimin se mbetet një nga kandidaturat për përballjen e pas dy viteve mes fitueses së Championsit dhe Europa Leagues.

Stadiumi i ri që po ndërtohet në kryeqytet në truallin e “Qemal Stafës” konkurron për vendimin final me stadiumin e Tuluzës në Francë, Sammy Ofer stadium të Haifas në Izrael, Astana Arenan të Kazakistanit, stadiumin kombëtar të futbollit Windsor Park të Irlandës së Veriut, Arena Gdansk më Poloni dhe Beshiktash Arenën të Stambollit në Turqi.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do ta shpallë kandidaturën fituese më 21 shtator. Punimet për ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare” vijojnë me intensitet të lartë. Federata Shqiptare e Futbollit shpreson që ta përurojë pikërisht me finalen e Superkupës së Evropës stadiumin e ri, i cili po ndërtohet me standardet me të larta.

Komentet
Top